Back Menu

K.F. Skënderbeu - Vendi ku bashkohen Ujqerit

Josa këmbëngul: S’ka mbaruar asgjë, kemi dhe 90 minuta loje

“Unë nuk jam trajner që mbrohem, sepse nuk e kam në stilin tim të punës. Do të sulmojmë dhe do të luajmë si në ndeshjen e parë”

Fatmir Popja

 

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, në konferencën e djeshme për shtyp, në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, kërkoi të ndalë euforinë për sfidën e kthimit me moldavët e Milsamit. Fitorja e ndeshjes së parë 2-0 në transfertë, si dhe hapi i parë i sigurt drejt kalimit të raundit, i ka bërë korçarët me krahë. E megjithatë, Josa theksoi se deri më tani skuadra ka bërë vetëm 50% të punës. Pasi, sipas tij, kanë edhe një ndeshje për të kaluar në turin tjetër. Për Josën, moldavët nuk do të vijnë në Elbasan për shëtitje dhe do të kërkojnë të fitojnë e pse jo dhe të tentojnë të kalojnë turin. Ndaj ata duhet të tregojnë kujdes, pasi në futboll nuk mund të jesh asnjëherë komod edhe nëse je në avantazh të dy golave. “Më duhet të them se deri më tani kemi bërë vetëm 50% e punës dhe ende nuk duhet ta konsiderojmë veten si të kualifikuar. Duhet të luajmë me pozitivitet si në ndeshjen e kaluar dhe të bëjmë të njëjtën gjë si atje. Mendoj se lojtarët që stërvis kanë një eksperiencë mbi supe dhe do të dijnë të interpretojnë mirë lojën. Nuk do të hyjmë në fushë për t’u mbrojtur, sepse unë jam trajner që nuk luaj në mbrojtje. Ndaj do luajmë në sulm. Duhet të kemi parasysh se ekipi moldav nuk do vijë për shëtitje, pasi ata nuk kanë se çfarë të humbin dhe do të tentojnë të kualifikohen, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm”, u shpreh fillimisht Josa.

TIFOZËT – Më tej Josa preku pak edhe punën e tifozëve dhe masat që janë marrë për këtë ndeshje. Sipas tij, në Korçë dhe Elbasan e duan futbollin. Ndaj i pari i bankinës korçare beson se do të ketë një interesim të madh. Për të nuk e shqetësojnë aspak masat e rrepta që po merren nga klubi për mbarëvajtjen e ndeshjes, sepse këto janë normale dhe është detyra e klubit për të bërë më të mirën për këtë gjë. “Di që ka një interesim të madh për këtë ndeshje dhe kam besim se stadiumi do të mbushet me tifozë që do të na mbështesin gjatë gjithë kohës. Në Korçë e duan futbollin, po ashtu edhe në Elbasan, ku unë kam qenë dikur trajner dhe e di se mbushnin shkallët e stadiumit. Për sa i përket masave të rrepta që po merren, kjo nuk është detyra ime, por sigurisht që klubi duhet t’i marrë masat që të krijohet siguri për ne që jemi në fushë. Kështu që nuk shoh ndonjë gjë në këtë pjesë”, përfundon Josa për sa i përket çështjes së tifozëve.

MUNGESA – Tekniku i Skënderbeut, Mirel Josa, konfirmoi edhe mungesën e Latifit për arsye dëmtimi, si edhe nuk dha shumë informacion sesi do të luajë sot në fushë, por nuk pritet të ketë shumë ndryshime nga ndeshja e parë. “Mund të konfirmoj se Latifi nuk do të jetë në fushë nesër (sot), por gjithsesi do ta zëvendësojmë me dikë tjetër. Për sa i përket lojtarëve që do të hedh në fushë do ta vendos në fund, ndaj nuk mund të them nëse do të ketë ndryshime nga ndeshja e parë apo jo”, sqaroi më tej Josa edhe çështjen e mungesës së Latifit dhe formacionit me të cilin do të zbresë në fushë.

Plugin from the creators ofBrindes :: More at PlulzWordpress Plugins