Back Menu

K.F. Skënderbeu - Vendi ku bashkohen Ujqerit

Ruci: Nëse shkojnë në grupe, Skënderbeu i pakapshëm

Fitorja e djeshme e Skënderbeut merr përmasa gjigante, pasi tani është shumë më pranë se kurrë kalimit në fazën në grupe, të paktën atyre të Ligës së Europës. Janë momente feste dhe shprese të madhe, por kur vjen puna te historia që kanë klubet shqiptare në Europë, atëherë emri i parë që vjen ndër mend është Flamurtari.

Po, skuadra e fundviteve ’80, që u përball me Barcelonën dhe ka gjurmë të thella në memorien e të gjithë futbolldashësve. Por a mund të bëhen krahasime mes Flamurtarit të asaj plejade dhe Skënderbeut të tanishëm?

Vasil Ruci heziton ta bëjë një gjë të tillë. Po, pikërisht ai, një nga yjet e Flamurtarit të atëhershëm, sot është një tifoz i Skënderbeut.

“Mos u rrekni të bëni krahasime për kohë të ndryshme me rrethana krejtë- sisht të ndryshme… Por nëse doni ta dëgjoni edhe nga unë, po ju them se ky Skënderbe më bën krenar dhe më jep shpresë se mund të shkojë larg. Vrapojnë shumë, kanë frymë, por kanë edhe cilësi”, thotë ishfutbollisti i famshëm i Flamurtarit.

 Z.Ruci, a e patë ndeshjen?

Po, e pashë dhe jam i lumtur që Skënderbeu fitoi. Jam i lumtur edhe që pashë një skuadër që funksionon mirë.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje te Skënderbeu, ose më saktë çfarë ju pëlqen më shumë?

Kompaktësia dhe fryma që jep kapiteni. Është ai që e dirigjon mirë lojën, por duket që edhe pjesa tjetër e lojtarëve të vjetër si Shehi dhe Radas kanë krijuar boshtet në repartet përkatëse. Duket që transmetojnë energji pozitive dhe besim.

 Së fundmi, kanë marrë një si Salihi që ka shënuar 4 gola në tri ndeshje…

Ç’mund të thuash më tepër për një ekip si ky. U lumturova vërtet dhe ju uroj me zemër të shkojnë sa më larg.

Cila është pika më e fortë e Skënderbeut sipas jush?

Shikoni, ata janë një skuadër cilësore dhe nuk e mohoj. Funksionojnë mirë dhe kanë gjetur balancat e duhura edhe për shkak të kohës së gjatë që luajnë me njëri-tjetrin, por edhe për cilësitë që kanë. Por, megjithatë, unë mendoj se arma më e fortë është gjendja e tyre psikologjike. Skënderbeu ka krijuar një bindje se është superior, ose i barabartë me të gjithë kundërshtarët. Kjo e ndihmon t’i shpalosë mirë cilësitë që ka dhe të mos lërë asgjë pa treguar në fushë. Kur e bën këtë më pas arrin edhe të jetë fitues, sepse e përsëris: cilësitë dhe përgatitjen e ka.

Kur flasim për historinë e klubeve shqiptare në Europë, gjithmonë bëhen krahasime me Flamurtarin që mundte Barcelonën… Nëse ju pyesim se cila prej këtyre skuadrave është më e mirë, Skënderbeu tani apo Flamurtari juaj i asokohe, ju si do përgjigjeshit?

Nuk mund të përgjigjem, sepse është e pamundur të përgjigjem… Skënderbeu ka përpara një rrugë të ndritur dhe është shumë pranë historisë, por ne mbahemi mend sepse u përballëm me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit. Janë dy klube shumë të mëdha dhe me ndeshjet që bëmë, lamë gjurmë. Ndërsa tani Skënderbeu është pranë fazës së grupeve dhe nëse ia del, unë mendoj se është i pakapshëm nga çdo skuadër tjetër…

Po thoni që e “parakalon” Flamurtarin e atyre viteve?

Jo, nuk është tamam ashtu. Po them thjesht që do të bëjnë një arritje historike. Sot, rruga për të mbërritur deri në fazën në grupe është shumë më e gjatë dhe përballesh ose me rivalë të nivelit tonë, ose më të mirë. Por ama rruga është më e gjatë. Atëherë ishte ndryshe, rruga ishte më e shkurtër, por rivalët që mund të binin ishin të frikshëm…

ndaj nuk mendoj se mund të bëjmë krahasime. Rrethanat janë krejt ndryshe. E, megjithatë, jam i lumtur të shoh një ekip shqiptar si Skënderbeu që zhvillon atë lojë me aq personalitet dhe me aq besim.

 Çfarë duhet të bëjë Skënderbeu në ndeshjen e kthimit?

Duhet të bëjë shumë kujdes. Jo sepse rrezikojnë kualifikimin, sepse ta themi troç: ata janë pranë kalimit të turit. Por duhet të jetë i kujdesshëm për mënyrën se si do të luajë. Ndeshja e kthimit do të jetë e rëndë- sishme për fazën “play off” dhe për kundërshtarin që do të gjejë aty. Nëse e fiton edhe ndeshjen e kthimit, Skënderbeu do të ketë një mentalitet dhe një qetësi që do ta ndihmojë shumë të përballojë edhe më mirë cilindo rival të ketë.

Kush ishte lojtari që ju tërhoqi më shumë vëmendjen në ndeshjen e sotme (djeshme)?

Shkëmbi. Organizon gjithçka mirë dhe ka gjithnjë timonin e skuadrës.

Intervistoi: Jetmir Halilaj

NDESHJET E FLAMURTARIT ME BARCELONËN
DHE PARTIZANIN E BEOGRADIT
KUPA UEFA, TURI I PARË/ 1986-1987
Flamurtari-Barcelona 1-1
Barcelona-Flamurtari 0-0
KUPA UEFA, TURI I PARË/ 1987-1988
Flamurtari-Partizan B. 2-0
Partizan B.-Flamurtari 2-1
1/16
Flamurtari-Barcelona 1-0
Barcelona-Flamurtari 4-1

 

Plugin from the creators ofBrindes :: More at PlulzWordpress Plugins