Skënderbeu dukshëm po bëhet gati për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, përgatitje që do të startojnë në fillim të muajit korrik, pikërisht në datën 5. Pavarësisht se u tronditën nga lajmet negative që vinin nga ana e KAS në lidhje me mospjesëmarrjen në Champions Ligë për këtë sezon e deri te largimet e shumta të lojtarëve që kryesohen nga Soue e Lilaj, për të vijuar më pas te Xhejms dhe dilemat e Osmanit, Micit e Vangjelit, sërish pritshmëritë janë të mëdha.
Një ndër ata që beson më shumë se Skënderbeu i këtij sezoni do të vijojë të jetë i fortë është pikërisht kapiteni i ardhshëm, kroati Marko Radas. Nga Kroacia, ku po shijon pushimet pranë familjes, Radas është shprehur i kënaqur në lidhje me faktin që drejtuesit po përpiqen të mbajnë grupin sa më shumë të jetë e mundur. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, kroati Radas vlerësoi mjaft iniciativën e Shehit për të marrë ekipin dhe normalisht u shpreh besimplotë për sezonin e ri, pavarësisht lëkundjeve.
“Normalisht që në këto momente kur po i afrohemi fazës përgatitore dhe të gjithë lojtarët janë lajmëruar për nisjen e përgatitjeve situata është disi më e qetë dhe jo aq konfuze sa në fillim. Lajmet që vinin herë pas here ato ditë të jepnin përshtypjen se gjithçka do të shkonte keq e më keq. Por, dukshëm presidenti Takaj u tregua edhe një herë se është një drejtues i mirë dhe e mblodhi situatën në momentin e duhur. Shpresa është e madhe edhe nga ajo çka pritet të ndodhë në KAS dhe sigurisht që presim lajme të mira nga “Babagjyshi’ në fundvit”, theksoi fillimisht Marko Radas.